Saturday, April 11, 2015

Me 17 prill Shqiperia merr 3 piket kunder Serbise


Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të ven dosë në mesin e prillit nëse do të ndryshojë apo jo renditja e Grupit I për kualifikimet e Europianit “Francë 2016″. Lajmi është bërë i ditur dje nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo e fundit konfirmon nëpërmjet faqes së saj në internet, se sekretaria e KAS-it të Lozanës ka njoftuar se seanca gjyqësore do të mbahet më 17 prill. Duhet thënë se, pavarësisht përpjekjeve të juristëve shqiptarë për të afruar datën e vendimit nga ana e KAS-it, ky i fundit vendosi të mblidhet në mes të prillit.
Më 8 janar, KAS-si njoftoi se Shqipëria dhe Serbia kishin paraqitur zyrtarisht ankimimin e tyre për vendimit e Komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit të UAFA-s, duke kërkuar anulimin e vendimit të qeverisë së futbollit europian. Pavarësisht se tifozët serbë mësynë fushën dhe futbollistët e kombëtares u goditën në fushë nga ana e tyre, UEFA vendosi në favor të Serbisë duke i dhënë ndeshjen 3-0 në tavolinë Serbisë dhe e penalizuar më pas këtë të fundit me heqjen e 3 pikëve për dhunën e ushtruar nga tifozët e saj. FSHF gjithashtu u ndëshkua dhe me 100 mijë euro gjobë. Ndërkohë që qeveria e futbollit kontinental nuk mori në konsideratë koret me karakter racist dhe as dhunën e ushtruar ndaj kuqezinjve, duke penalizuar Shqipërinë për mos-rikthimin në fushën e lojës.
Nisur nga çka ndodhi më 14 tetor 2014 dhe çka pritet në Arbitrazh, Panorama Sport ka kontaktuar ish-sekretarin e FSHF-së, aktualisht zyrtar i federatës spanjolle, Eduard Dervishi.
Z.Dervishi, tashmë është vendosur: seanca në KAS do të bëhet më 16-17 prill, çfarë presim sipas jush?
Shikoni, unë nuk jam ekspert në këtë fushë, por mund të jap një mendim nga përvoja europiane dhe nga ajo çka kam pasur mundësi të njoh në çështjet e debatuara në KAS-in e Lozanës. Nisur nga sa është parë në atë ndeshje, por edhe për aq sa e njoh unë KAS-in e Lozanës, mendoj se shqiptarët duhet të jenë optimistë.
Në ç’kuptim? Ishim optimistë edhe kur erdhi puna tek Apeli, por…
Jo, KAS-i është tjetër gjë. Në radhë të parë, kjo është një gjykatë totalisht e pavarur dhe me personalitete me integritet të jashtëzakonshëm. Që nga mënyra sesi zgjidhen dhe çështjet me të cilat ata merren, të bën të besosh se këtë herë do të gjejmë drejtësi. Sigurisht, kemi të bëjmë me një gjykatë dhe aty palët do të përballen me njëra-tjetrën. UEFA do të mbrojë vendimet e veta, por në fund unë besoj se peshorja do anojë nga Shqipëria.
Përse?
Sepse besoj, në radhë të parë, edhe tek avokati që ka marrë federata shqiptare. Z.Rigoci është një nga më të mirët në botë, për të mos thënë më i miri, ndaj kam shumë besim tek aftësitë e tij.
I njëjti ishte edhe në Apel, por nuk fituam…
Apeli është një organ brenda UEFA-s dhe unë e pata thënë që më përpara se do të ishte e vështirë që aty të merrnim të drejtën tonë. Sakaq, tjetër gjë tani në KAS, institucion që nuk varet nga kurrkush dhe aty ne jemi palë e barabartë ndaj UEFA-s.
Nëse do të ishit ju në vend të federatës ose z.Rigoci, ku do të ndaleshit që ta fitonit këtë çështje?
Ehh… nuk mund të jem unë, pasi s’merrem me një gjë të tillë, por besoj se avokatët e UEFA-s do të mundohen që të ruajnë të njëjtën linjë si në rastet në Komisionin e Disiplinës dhe Apelit. Nëse edhe zyrtarët e ndeshjes do mbajnë të njëjtin qëndrim, atëherë këtu do të jetë vështirësia më e madhe, pasi, sido që të jetë puna, KAS-i do marrë si një vendim politik, por edhe teknik.
Kujtojmë se arbitri tha që “nuk do ta vazhdoja dot ndeshjen nëse stoli që qëlloi Bekim Balajn do binte në kokën time”. A nuk është kjo e mjaftueshme për një gjykatë?
Unë nuk e di nëse e ka thënë këtë gjë arbitri apo jo. Por, edhe nëse është kështu, a do mund ta pohojë sërish ai edhe para KAS-it…? Them se këtu do të përqendrohet më shumë puna jonë për ta fituar këtë çështje.
Z.Arben Rakipi ka pohuar para pak kohësh se e shumta që mund të marrë Shqipëria në KAS është riluajtja e ndeshjes…
E njoh z.Rakipi, por mendoj se riluajtja e ndeshjes do mund të kërkohej nga Serbia dhe do t’i shkonte asaj përshtat dhe jo Shqipërisë. Ndoshta nëse një gjë të tillë e kërkojnë serbët, gjykata mund ta marrë parasysh dhe të kërkojë një lloj pajtimi mes palëve, por unë nuk besoj se federata shqiptare do të pranojë. Në fund të fundit, unë s’besoj se ajo ndeshje do të riluhet më. Nuk ka kuptim të riluhet më.
Atëherë i bie ose ne marrim pikët ose KAS-i do të lërë në fuqi vendimin e komisioneve të UEFA-s, apo jo?
Besoj dhe duhet që federata të kërkojë pikët. Sigurisht këto ose lënia në fuqi e vendimeve janë opsionet e vetme, me peshoren sigurisht nga ana shqiptare.


No comments:

Post a Comment